Udhëzues · materiale elektrike
Instalime elektrike në shtëpi: materialet dhe çmimet
1. Kuadri elektrik dhe mbrojtja
Çdo instalim nis te kuadri. Për një apartament zakonisht mjafton kuadër modular 12–24 module (brenda murit ose mbi mur), me një automat ose çelës kryesor, një diferencial 30 mA dhe nga një automat për çdo qark.
Ndarja më e zakonshme: automat 10 A për ndriçimin, 16 A për prizat (një ose dy për çdo zonë), linja më vete për kuzhinën, bojlerin, furrën dhe kondicionerët. Për banjën dhe prizat rekomandohet diferencial 30 mA i llojit A.
2. Telat dhe kabllot
Brenda tubave në mur përdoret teli njëfijësh FS17: 1.5 mm² për ndriçimin, 2.5 mm² për prizat, 4 mm² për bojlerin, furrën dhe pllakën, 6 mm² e më shumë për linjën nga matësi te kuadri.
Ngjyrat ndihmojnë që instalimi të jetë i sigurt edhe për punët e mëvonshme: kafe, e zezë ose gri për fazën, blu për neutralin dhe verdhë-jeshil për tokëzimin. Për pajisje të lëvizshme dhe kabllo pa tub përdoret FROR16; për jashtë dhe nën tokë (në tub) FG16OR16.
3. Tubat, kutitë inkaso dhe kutitë shpërndarëse
Telat kalojnë në tub fleksibël (zakonisht 16, 20 ose 25 mm) brenda murit ose dyshemesë. Në çdo dhomë vendoset të paktën një kuti shpërndarëse për lidhjet, që të mos bëhen lidhje brenda kutive të çelësave.
Për çdo çelës ose prizë duhet kuti inkaso me numrin e duhur të moduleve (p.sh. 3M ose 4M). Në mure gipsi përdoren kuti të posaçme për gips, që fiksohen te pllaka.
4. Çelësat dhe prizat
Për çdo pikë duhen: kutia inkaso, suporti, mekanizmat (çelës, prizë, buton ose modul bosh) dhe pllaka me të njëjtin numër modulesh. Seria përcakton pamjen dhe çmimin: Vimar Neve Up është më ekonomikja, Plana dhe Arkè janë në mes, Eikon dhe Evo janë gama më e lartë.
Për bojlerin, lavatriçen, kondicionerin dhe furrën përdor gjithmonë prizë me tokëzim (shuko ose universale 16 A). Për të ditur sa çelësa dhe priza të duhen, numëro pikat për çdo dhomë.
5. Tokëzimi dhe kontrolli në fund
Tokëzimi bëhet me kunja ose shirit në tokë, i lidhur me barrën e tokëzimit në kuadër, dhe nga aty me telin verdhë-jeshil te çdo prizë. Pa tokëzim, edhe diferenciali punon më keq.
Para se të vendosen pllakat, kontrollo me testues ose multimetër që faza, neutrali dhe tokëzimi janë në vendin e duhur, dhe shtyp butonin T të diferencialit: duhet të fiket menjëherë.
Si ta llogarisësh listën e materialeve
Numëro pikat për çdo dhomë (drita, çelësa, priza, TV, internet) dhe grupoji sipas qarqeve. Për çdo qark llogarit një automat dhe gjatësinë e telit nga kuadri te pika e fundit.
Telat llogariten për çdo fije veç: faza, neutrali dhe tokëzimi. Mat distancën, shumëzoje me numrin e fijeve dhe shto 10–15% rezervë për lidhjet. Për tubat llogarit të njëjtën gjatësi pa fijet.
Nëse ke planimetrinë ose numrin e pikave, na i dërgo në WhatsApp dhe ta përgatisim listën me çmime. Porosinë e merr në dyqan në Parrucë (Shkodër) ose ta dërgojmë në gjithë Shqipërinë me pagesë dërgese 200–400 Lekë.
Pyetje të shpeshta
Shiko edhe
Ke një listë? Na e dërgo.
Ta përgatisim gati për t'u marrë në Parrucë (Shkodër) ose ta dërgojmë në gjithë Shqipërinë.

Këshillë personale
Fol direkt me ekipin tonë në Shkodër. Përgjigje brenda ditës.


























